Paris Saint-Germain e ka fituar me shumë dramë finalen e Ligës së Kampionëve ndaj Arsenalit, duke triumfuar 4-3 pas ekzekutimit të penalltive, pasi koha e rregullt dhe vazhdimet përfunduan me rezultat 1-1.
Njëri nga protagonistët e mbrëmjes, Khvicha Kvaratskhelia, nuk e fshehu emocionin pas suksesit historik të skuadrës franceze, duke vlerësuar sakrificën dhe përkushtimin e të gjithë ekipit në rrugën drejt trofeut.
“Është një ndjenjë e pabesueshme. Isha shumë i lodhur, por kur gjithçka përfundoi, sërish kisha energji për të vrapuar dhe për të festuar. Ia dolëm. Falënderoj tifozët tanë, klubin, trajnerin dhe bashkëlojtarët. Jemi jashtëzakonisht krenarë për këtë natë”, deklaroi ylli gjeorgjian.
Kvaratskhelia foli edhe për objektivat e PSG-së në të ardhmen, duke theksuar se skuadra synon të vazhdojë me të njëjtin ritëm fitues edhe në sezonin e ardhshëm.
“Tani duhet të vazhdojmë në këtë drejtim. Sezonin e ardhshëm do të përpiqemi ta fitojmë sërish këtë trofe”, shtoi ai.
Kjo fitore shënon herën e dytë në histori që Paris Saint-Germain ngre trofeun e Ligës së Kampionëve, duke konfirmuar statusin e tij si një nga skuadrat më të forta në futbollin evropian.
Njëkohësisht, PSG siguroi titullin e dytë radhazi në garën më prestigjioze për klube në Evropë. Sezonin e kaluar, parisienët triumfuan bindshëm ndaj Interit me rezultat 5-0 në finale, ndërsa tani synojnë të afrohen me rekordin e Real Madridit, skuadrës së vetme që ka arritur ta fitojë Ligën e Kampionëve tre herë radhazi.





