Steven Spielberg ka shprehur shqetësimin e tij për përdorimin gjithnjë e më të madh të inteligjencës artificiale në industrinë e filmit, duke theksuar se teknologjia nuk mund të zëvendësojë krijimtarinë njerëzore.
Gjatë një interviste në podcast-in “IMO”, të moderuar nga Michelle Obama dhe Craig Robinson, regjisori legjendar tha se AI mund të ndihmojë në aspektet teknike të produksionit, por jo në procesin artistik të krijimit të filmave.
Sipas Spielberg, inteligjenca artificiale mund të përdoret si mjet ndihmës për kërkime apo organizim teknik, por nuk duhet të marrë rolin e skenaristëve dhe krijuesve. Ai theksoi se filmat burojnë nga përvoja, ndjeshmëria dhe emocionet njerëzore, gjëra që teknologjia nuk mund t’i kopjojë.
Qëndrim të ngjashëm ka shprehur edhe Leonardo DiCaprio, i cili më herët kishte deklaruar se inteligjenca artificiale nuk është në gjendje të krijojë art autentik, pasi i mungon humaniteti.
Debati mbi përdorimin e AI në Hollywood po bëhet gjithnjë e më i madh, ndërsa shumë figura të industrisë po kërkojnë kufizime në përdorimin e saj në proceset krijuese të kinemasë.





