Kongresistët amerikanë Keith Self dhe Suhas Subramanyam nga sot, 26 maj, pritet të zhvillojnë vizitë zyrtare në Kosovë dhe në Luginën e Preshevës.
Siç ka bërë të ditur organizata “Albanians For America”, gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë ata do të takojnë përfaqësues të institucioneve shtetërore, zyrtarë të sigurisë, si dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar. Në agjendë parashihen edhe takime me autoritetet amerikane dhe ndërkombëtare të sigurisë në Camp Bondsteel, si dhe me shoqërinë civile dhe mediat.
Qëllimi i kësaj vizite, sipas organizatës, është forcimi i partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, diskutimi i zhvillimeve të sigurisë në rajon, si dhe mbështetja e të drejtave të shqiptarëve.
Pas vizitës në Kosovë, kongresistët amerikanë do të qëndrojnë edhe në Luginën e Preshevës, ku do të takojnë përfaqësues të Këshillit Kombëtar Shqiptar, liderë politikë dhe drejtues të komunave të Preshevës dhe Bujanocit. Fokus i bisedimeve do të jenë të drejtat e shqiptarëve dhe sfidat me të cilat përballen në këtë rajon.
Organizata thekson se kjo vizitë vjen në një periudhë të angazhimit të shtuar të Kongresit amerikan për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe proceset euro-atlantike të Kosovës.





