PËRGATITI: DONISA FAZLIU
Viktimat e dhunës në familje po përballen me vështirësi në raportimin e dhunës dhe abuzim psikologjik. Kështu u tha këtë të hënë, në konferencën e mbajtur, “Të kuptuarit e peizazhit institucional”, që kishte për qëllim prezantimin e një peizazhi të qëndrimeve institucionale ndaj viktimave të dhunës në familje.
Në Kosovë ka shënuar ngritje raportimi i rasteve të dhunës në familje, por bashkë më këtë edhe vetë dhuna.
Me qëllim të parandalimit të këtij fenomeni, këtë të hënë është mbajtur konferenca “Të kuptuarit e peizazhit institucional”, që ka për qëllim prezantimin e një peizazhi të qëndrimeve institucionale ndaj viktimave të dhunës në familje.
“Janë dy objektiva të parapara, objektiva e parë synon që të ndërgjegjësojë publikun e gjerë dhe komunitetin se dhuna ndaj grave është shkelje e të drejtave të njeriut dhe se çdo individ inkurajohet ta sfidojë atë. Ndërsa, objektivi i dytë i këtij projekti është promovimi i zbatimit të masave efektive për parandalimin dhe luftimin e dhunës së bazuar në gjini, si në nivel lokal, po ashtu edhe në nivel nacional”.
Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, thotë dhuna ndaj grave ka shënuar rritje.
“Shqetësimi kryesor i yni është numri i raportuar, sepse përpos që raportohen në polici, mendojmë që nuk është rritur vetëm raportimi, por është rritur edhe dhuna. Edhe ky projekt, edhe hulumtimi na bën me dije që duhet ende punë në praktikë dhe një bashkëpunim më i madh mes komunave. Shpeshherë humbim edhe jetë të grave për shkak që përveç që dhuna është prezentë, janë edhe pabarazitë e tjera dhe diskriminimi tjetër që gratë përjetojnë dhe është shumë vështirë”.
Ndërkaq, ekspertja Nora Jusufi, rendit shkaktarët e tjerë që ndikojnë në shtimin e dhunës në familje.
“Mungesa e edukimit të qytetarëve për të drejtat e grave si dhe cenueshmëria ekonomike apo vulnerabiliteti ekonomik dhe varësia prej bashkëshortëve që ato e kanë në aspektin financiar apo ekonomik”.
Ky projekt, cili ka për qëllim parandalimin e dhunës, është mbështetur nga Bashkimi Evropian, si dhe është implementuar në Prishtinë, Prizren, Kamenicë, Mitrovicës, Gjakovë dhe Gjilan.