Trajneri i Real Madrid, Alvaro Arbeloa, ka konfirmuar se do t’i japë fund aventurës së tij te klubi madrilen pas ndeshjes së fundit të sezonit kundër Athletic Bilbao.
Arbeloa u shpreh emocional për largimin e tij, duke theksuar lidhjen e fortë që ka me klubin ku kaloi dy dekada në role të ndryshme.
“Shpresoj që kjo të jetë vetëm një ‘mirupafshim’, sepse ky do të jetë gjithmonë shtëpia ime. Kam qenë pjesë e Real Madridit për 20 vite në role të ndryshme dhe gjithmonë do ta konsideroj shtëpinë time. Kjo do të jetë ndeshja ime e fundit me Real Madridin… nuk e di nëse do të jetë edhe e fundit e karrierës sime”, deklaroi Arbeloa.
Ai mohoi gjithashtu spekulimet që e lidhin me një rol në stafin e Jose Mourinho, në rast të një rikthimi të mundshëm të portugezit në “Santiago Bernabeu”.
“Nuk jam këtu për të folur për mundësi. Mourinho ka një staf fantastik dhe është shumë mirë i mbështetur. Nëse ai vjen te Madridi, do të sjellë stafin e tij… nuk ka asnjë shans që unë të jem pjesë e tij. Duke filluar nga e hëna, do të duhet të mendoj se çfarë është më e mira për mua. E kam bërë tashmë hapin e madh dhe jam përmirësuar shumë gjatë këtyre katër muajve”, shtoi ai.
Në fund, Arbeloa foli edhe për emocionet që sjell ndeshja e fundit para tifozëve madrilenë.
“Është një ndeshje e madhe, një lamtumirë para tifozëve. Ndeshja e fundit në shtëpi është gjithmonë speciale dhe ndryshe. Gjëja më e rëndësishme është t’i bëjmë tifozët ta shijojnë atë”, përfundoi trajneri spanjoll.





