Njoftimi i ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për nisjen e procedurave për themelimin e xhandarmërisë së Kosovës, po vlerësohet si një hap i rëndësishëm në forcimin e arkitekturës së sigurisë në vend.
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala thotë se krijimi i një strukture të tillë ka qenë i nevojshëm tash e një kohë dhe se ajo do të ndikojë në menaxhimin më efikas të çështjeve të sigurisë dhe kontrollit kufitar.
Shala në një intervistë për Ekonomia Online tha se xhandarmëria pritet të ketë një emërtim të ri.
“Unë mendoj që veprimi i ndërmarrë nga ana e nivelit politik në Republikën e Kosovës është një vendim, i cili në kohë është i vonuar. Për arsye se kjo çështje do të duhej të ishte përfunduar që në 2023-ën, që nga përfundimi i sulmit terrorist diverzant nga ana e Beogradit zyrtar. Sepse është parë qartazi se do të duhet të kemi një ndryshim të arkitekturës së sigurisë dhe në kuadër të saj të kemi një strukturë të re, e cila do kishte me ndihmuar jashtëzakonisht në procese të sigurisë kombëtare. Në këtë aspekt, unë mendoj që xhandarmëria e Kosovës do të ketë një emërtim të ri, por nuk do të pranohet si terminologji e xhandarmërisë, por që funksioni dhe aktiviteti do të jetë i ngjashëm, të cilën është paraparë sipas ligjit në fuqi për sigurinë publike dhe asaj nacionale, por njëkohësisht sipas vendimit nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme”, u shpreh Shala.
Ai vlerëson se Kosova tashmë i ka kapacitetet institucionale dhe operative për të krijuar një strukturë të tillë të sigurisë.
“Kosova besoj tani më ka përmbyllur në aspekte të saja, arkitekturën e sigurisë, sa i përket krijimit të njësive relevante brenda Policisë së Kosovës, por njëkohësisht ne kemi në stazhin final edhe në përmbylljen e fazës së transformimit të FSK-së në forca të armatosura. Unë mendoj se tani më është koha më optimale, më e duhura që ne të kemi një strukturë të tillë, e cila do kishte me qenë si një sinergji e këtyre dy mekanizmave më herët, por që në asnjë rrethanë nuk do kishte me minimizuar punën dhe funksionin e Policisë së Kosovës apo ndoshta dhe të Ushtrisë së Kosovës, meqenëse tani më koncepti do të jetë në formatin të cilin e ka Shteti i Turqisë”, thekson ai.
Sipas Shalës, themelimi i xhandarmërisë do të ndikojë drejtpërdrejt në lehtësimin e barrës operative të Policisë së Kosovës, sidomos në zonat kufitare dhe në menaxhimin e situatave të ndjeshme të sigurisë.
“Sipas të gjitha gjasave do të jetë një ndihmesë jashtëzakonisht për Policinë e Kosovës, sepse deri më tani ishte përgjegjës për pjesën e brezit kufitar me shtetet fqinje, do të kishte me patur një minimizim të aktiviteteve të përditshme policore, sepse do të kishte me kaluar barrën dhe përgjegjësia e xhandarmërisë së Kosovës dhe njëkohësisht aksesin në mjetet ushtarake për të përmbyllur misionin dhe mandatin, do kishte me qenë tjetër e dëshirueshme, duke mos e ekspozuar ushtrinë në Kosovë në ndonjë aktivitet kërcënues, që mund të vihet, si me të cilin do kishte mund të menaxhojë xhandarmëria e Kosovës”, tha ai.
Ai pret që procesi i funksionalizimit të kësaj strukture të nisë relativisht shpejt pas formimit të grupit punues nga Ministria e Punëve të Brendshme.
“Unë po besoj dhe shpresoj se në një periudhë kohore afro 18-muajsh, që nga dita e nënshkrimit të vendimit nga ana e Ministrit të Punëve të Brendshme, ne do kemi strukturën e parë komanduese që udhëheq këtë strukturë”, u shpreh tutje Shala.
Ndërkaq, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, njoftoi sot se është nënshkruar vendimi për themelimin e grupit punues që do të analizojë modalitetet e funksionimit të xhandarmërisë së Kosovës.
“Xhandarmëria e Republikës së Kosovës po bëhet. Si Ministër i Punëve të Brendshme sot kam nënshkruar themelimin e grupit punues i cili do të bëj analizimin dhe propozimin e modaliteteve për funksionimin e Xhandarmërisë së Republikës së Kosovës, si Agjencion i Ministrisë së Punëve të Brendshme. Xhandarmëria përfaqëson një hap të rëndësishëm në konsolidimin e arkitekturës sonë të sigurisë, me mision të qartë për të garantuar prezencë të fuqishme shtetërore në funksion të ruajtjes së kufinjve, integritetit dhe sovranitetit tonë territorial, mbrojtjen nga terrorizmi, menaxhimin e trazirave me rrezikshmëri të lartë dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike”, ka shkruar Sveçla në Facebook.





