Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e sotme ka miratuar adresat e kutive postare për votimin me postë nga jashtë Kosovës, proces i cili do të zhvillohet nga 25 maji deri më 6 qershor, raporton Ekonomia Online.
Anëtari i KQZ-së dhe kryesuesi i Këshillit për Operacione Zgjedhore, Alban Krasniqi, tha se adresat e kutive postare mbesin pothuajse të njëjta me ato të zgjedhjeve të kaluara.
“Departamenti përkatës i ka sjellur adresat të cilat janë të njëjta të kutive postare si në të kaluarën, vetëm në dy vende janë ndryshuar”, tha ai.
Sipas KQZ-së, me qëllim të ofrimit të mundësisë për votim për shtetasit që janë regjistruar për të votuar përmes postës, kutitë postare janë funksionale në 22 shtete: Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kroaci, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Mbretëria e Bashkuar, Norvegji, ShBA, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër.
Po ashtu, funksionale do të jetë edhe kutia postare e përhershme e KQZ-së në Kosovë.
Në mbledhjen e sotme, KQZ-ja ka miratuar edhe Planin operacional të sigurisë për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026.
Gjithashtu, është miratuar edhe dizajni dhe përmbajtja e fletëvotimit dhe broshurës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.






