Roma ka marrë një fitore shumë të rëndësishme në derbin e kryeqytetit, duke mposhtur Lazion me rezultat 2-0 në një ndeshje vendimtare për garën në Serie A.
“Gjallorosët” e nisën ndeshjen më kërkues dhe më të organizuar, duke ushtruar presion të vazhdueshëm ndaj kundërshtarit, por goli i parë erdhi vetëm në minutën e 40-të. Pas një krosimi të saktë nga këndi i Niccolò Pisilli, Gianluca Mancini u ngrit më së larti dhe realizoi me kokë për 1-0.
Me epërsinë minimale të Romës u mbyll pjesa e parë e ndeshjes.
Në pjesën e dytë, skuadra e Gian Piero Gasperini vazhdoi dominimin dhe në minutën e 66-të dyfishoi rezultatin. Sërish protagonist ishte Mancini, i cili këtë herë shënoi pas një asistimi të Paulo Dybala, duke kompletuar dopietën personale.
Pak minuta më vonë, ndeshja u tensionua pas një përplasjeje mes lojtarëve të të dy skuadrave, ku Wesley nga Roma dhe Nicolo Rovella nga Lazio u ndëshkuan me kartonë të kuq.
Deri në fund të takimit, Roma krijoi edhe disa raste të tjera, por pa arritur të thellojë rezultatin.
Me këtë fitore, Roma ngjitet sërish në zonën e top katërshe me 70 pikë dhe vazhdon luftën për një vend në Ligën e Kampionëve, ndërsa në ndeshjen e radhës përballet me Veronën.





