Ish-kryediplomati kosovar Petrit Selimi e ka quajtur marrëzi prezantimin që ia bëri Gjykata Speciale burgut në Hagë ku po mbahen ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai shkroi në X se ka qenë disa herë për vizitë atje dhe se ata po qëndrojnë në paraburgim tash e 6 vjet.
“Është burg. Ndaleni këtë marrëzi. Kam qenë disa herë duke vizituar udhëheqësit e akuzuar të çlirimit të Kosovës. Ata kanë kaluar 6 vjet në paraburgim / arrest gjatë gjykimit, ndërkohë që ju keni refuzuar çdo lirim me kusht apo arrest shtëpiak edhe kur shtete të treta kanë garantuar qëndrimin në territoret përkatëse të tyre”, shkroi Selimi.
Specialja, në një video të publikuar dje paraqiti kushtet e burgut që përshkruheshin si shumë të mira.
“Paraburgimi para ose gjatë një gjyqi bëhet vetëm kur është e nevojshme për të parandaluar një rrezik të konsiderueshëm, p.sh. rreziku që i pandehuri të përpiqet të frikësojë ose të ndikojë në dëshmitarë. Çdo dy muaj, Gjyqtarët e Gjyqit të Specializuar të Kosovës do të rishikojnë paraburgimin për të shqyrtuar nëse paraburgimi është ende i nevojshëm dhe i arsyeshëm”, thuhej ndër tjerash në postimin e gjykatës.
It’s a jail. Stop this silliness. I’ve been several times visiting indicted leaders of Kosovo liberation. They’ve spent 6 years in pre-trial / trial detention, with you refusing any bail or house arrests even when third countries guaranteed stay in their respective territories. https://t.co/IrOVCo9qXe
— Petrit Selimi (@Petrit) May 12, 2026





