Punimet për rinovimin e shkallëve të njohura si “Shkallët e Postës” në lagjen “Dardania”, ishin planifikuar të përfundonin në janar. Por, punimet që kanë rifilluar, ende janë larg përfundimit. Qytetarët të cilët kalojnë çdo ditë në atë zonë ankohen se edhe ecja në atë pjesë nuk është e lehtë.
“Projekti për rinovimin e shkallëve të postës në kryeqytet, fillimisht ishte në plan të përfundonte në dhjetor të vitit të kaluar, pas kësaj periudhe përfundimi i projektit është shtyrë për në janar të këtij viti. Por që edhe pse jemi në muajin korrik, ky projekt ende nuk është përfunduar”.
Qytetarët vazhdojnë të shfrytëzojnë rrugët alternative, për të kaluar në pjesën tjetër të lagjes.
Ata për më tepër shprehën të pakënaqur që punimet nuk përfunduan me kohë, derisa ecja në këtë pjesë nuk është e lehtë.
Rreth vonimit të këtij projekti, ATV-ja ka provuar të marrë përgjigje nga zyrtarë të komunës së Prishtinës, por që këta të fundit nuk ishin të qasshëm.
Projekti për rinovimin e shkallëve në lagjen “Dardania”, në kryeqytet, kishte filluar më 10 tetor të vitit të kaluar.