Për shkak të situatës së tensionuar në veri, ishte paralajmëruar mundësia që turizmi vendor të pësojë. Por, gjendja në terren flet ndryshe. Vetëm në dy muajt e fundit, Kosovën e vizituan më shumë se 48 mijë turistë. Derisa Unioni i Turizmit të Kosovës thotë se shifra është më e lartë se vitin e shkuar.
Ne mesin e shteteve të paraqitura në këtë pikturë është edhe Gjermania, prej nga vjen Jan Suleiman, i cili tash e një javë është duke qëndruar në Kosovë.
Ndonëse në Kosovë erdhi për një konferencë, Suleiman thotë se mbeti i mahnitur nga kultura e vendet që deri tash pati mundësi t’i vizitojë.
Erdha në Kosovë për punë në një konferencë, por vendosa t’i vizitoj disa vende, vizitova Prizrenin, Pejën dhe erdha në Prishtinë. Mund të them se më pëlqejnë shumë malet në Kosovë, por edhe njerëzit janë shumë të qetë e mikpritës. Nuk kam dëgjuar shumë për Kosovën më parë, por mund të them se Kosova është një vend ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit dhe do të qëndroj këtu edhe për së paku 2 javë.
Jeton Latifi, pronar i njërit prej hosteleve të shumta në kryeqytet, thotë se numri i vizitorëve të huaj është rritur.
Për dallim prej viteve të tjera, këtë vit kemi rritje të numrit të vizitorëve aziatikë. Për çdo vit ka rritje të numrit të turistëve, edhe përveç turizmit, kohëve të fundit
kemi parë rritje të numrit të njerëzve të cilët vijnë për investime në Kosovë, e derisa t’i kryejnë punët me letra qëndrojnë këtu.
Njësoj thotë edhe Unioni i Turizmit në Kosovë.
Në bazë të statistikave, na gëzon fakti që kemi mbi 40% rritje të numrit të turistëve të huaj që kanë shprehur interesim ta vizitojnë Kosovën. Kjo është si vazhdimësi e vitit të kaluar, është një lajm fantastik. Unioni i turizmit po punon shumë që të promovojë më së shumti.
Vetëm në muajin maj të këtij viti, më shumë se 48 mijë vizitorë qëndruan në Kosovë. Krahasuar me vitin e kaluar, shifra paraqet rritje për 28%.
Numër i lartë i vizitorëve u shënua edhe gjatë vitit të kaluar. Në periudhën janar-shtator, Kosovën e vizituan mbi 375 mijë turistë.
Ndërkaq, gjatë periudhës së njëjtë, sipas Bankës Qendrore të Kosovës, vendi kishte përfituar nga turistët mbi 1 miliard euro.