Prizreni do të mirëpresë edhe këtë verë edicionin e katërt të festivalit “Prizren Rock n Blues Fest”, i cili do të mbahet më 3, 4 dhe 5 korrik, me premtimin për një program më të madh dhe plot befasi për publikun.
Organizatorët kanë bërë të ditur se festivali i sivjetmë do të sjellë një koncept të veçantë artistik, duke bashkuar legjendat botërore të rockut me emrat më të njohur shqiptarë të muzikës rock të viteve ’80.
“Ky festival sivjet do të ngërthejë dy dimensione. Do të jetë një tributë i veçantë për legjendat botërore të rockut dhe do të sjellë në skenë gjigantët shqiptarë të muzikës së viteve 80-të. Emrat do t’i sjellim shumë shpejt për publikun”, deklaroi Hekuran Gashi, drejtor i Prizren Rock n Blues Fest.
Sipas tij, edicioni i këtij viti do të organizohet me dy skena gjigante, në tre mbrëmje të cilat sipas tij do ta konfirmojnë edhe një herë Prizrenin si kryeqendër të rock n roll-it shqiptarë.
Festivali pritet të mbledhë artistë, adhurues të muzikës rock dhe vizitorë nga vende të ndryshme të rajonit.





