Warner Bros. ka publikuar trailerin e parë për filmin Practical Magic 2, vazhdimin e shumëpritur të filmit kult të vitit 1998. Filmi pritet të mbërrijë në kinema më 11 shtator.
Traileri u prezantua fillimisht për pjesëmarrësit e CinemaCon në Las Vegas, përpara se të publikohej për publikun e gjerë. Në këtë vazhdim rikthehen në rolet e tyre ikonike Nicole Kidman dhe Sandra Bullock, si motrat Sally dhe Gilly Owens.
Kastit i bashkohen emra të rinj si Joey King, Lee Pace, Maisie Williams, Xolo Maridueña dhe Solly McLeod. Ndërkohë, rikthehen edhe Stockard Channing dhe Dianne Wiest në rolet e tezeve Frances dhe Jet.
Ngjarja zhvillohet vite pas filmit të parë, me Sally që ka rritur vajzat e saj, ndërsa Gilly jeton një jetë të qetë. Por kjo qetësi prishet kur një personazh misterioz, i luajtur nga Lee Pace, i detyron motrat të largohen nga qyteti i tyre në New England dhe të përballen me një mision dramatik.
Skenari i filmit është shkruar nga Akiva Goldsman dhe Georgia Pritchett, bazuar në romanin “The Book of Magic” të autores Alice Hoffman. Filmi drejtohet nga Susanne Bier.
Sipas studios, “Practical Magic 2” rikthen publikun në një botë të mbushur me magji dhe mister, ku motrat Owens duhet të përballen me një mallkim të errët që kërcënon të shkatërrojë familjen e tyre, në një histori që premton argëtim, emocione dhe kaos magjik.






