Një nga keqkuptimet më të përhapura rreth autizmit lidhet me perceptimin se personat në spektër nuk ndiejnë emocione. Sipas psikologes nga Tirana, Jonida Ponari, kjo nuk është e vërtetë.
Ajo në emisionin “LIBERO” theksoi se fëmijët apo individët me autizëm i përjetojnë emocionet plotësisht, madje shpeshherë me një intensitet më të lartë sesa personat neurotipikë. “Ndryshon vetëm mënyra e përpunimit dhe e shprehjes së emocioneve”, shpjegoi Ponari. Sipas saj, vështirësia qëndron në faktin se ata nuk arrijnë gjithmonë të identifikojnë fillimisht emocionin, ta shprehin qartë dhe më pas ta kanalizojnë në mënyrën e duhur.
Psikologia shtoi se kjo sfidë në menaxhimin emocional mund të çojë në keqkuptime nga ana e të tjerëve, duke krijuar perceptimin e gabuar se mungon ndjeshmëria emocionale.
E pyetur për aftësitë njohëse, Ponari theksoi se shumë individë me autizëm kanë një kujtesë të jashtëzakonshme dhe aftësi të lartë për përqendrim. “Kanë një hiperfokus të theksuar, sidomos në fushat që ata kanë interes”, u shpreh ajo.
Sipas saj, ky potencial shpesh mund të shndërrohet në një avantazh të madh, nëse mbështetet dhe zhvillohet në mënyrën e duhur nga familja dhe specialistët.
Për ta dëgjuar diskutimin e plotë rreth kësaj teme, klikoni në linkun e mëposhtëm:






