Një burrë dhe dy fëmijë kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri që ka përfshirë një banesë në Malishevë.
Ngjarja tragjike ka ndodhur rreth orës 12:55 në lagjen “Mirdita”, ku sipas informacioneve, viktimat janë një burrë rreth 35 vjeç dhe dy fëmijë të moshës 9 dhe 12 vjeç.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, njoftoi se menjëherë pas marrjes së informacionit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore, zjarrfikësit dhe ekipet emergjente.
“Brenda banesës janë gjetur tre persona të gjinisë mashkullore (një i rritur dhe dy fëmijë), të cilët janë dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Malishevë, ku është konstatuar se ishin pa shenja jete”, deklaroi Elezaj.
Ai bëri të ditur se zjarri është lokalizuar dhe nuk janë raportuar pasoja të tjera, ndërsa për rastin është njoftuar edhe prokurori i shtetit.
Autoritetet kompetente po vazhdojnë hetimet për të sqaruar shkaqet dhe rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë.






