Presidenti i FIFA, Gianni Infantino, ka deklaruar se Kombëtarja e Iranit pritet të marrë pjesë në FIFA World Cup 2026, pavarësisht tensioneve të fundit ndërkombëtare.
Gjatë forumit “Invest in America”, Infantino theksoi se Kombëtarja Iraniane e ka fituar me meritë vendin në Botëror dhe duhet të jetë pjesë e turneut. Ai shprehu shpresën që situata politike të stabilizohet deri atëherë, duke nënvizuar se futbolli duhet të mbetet një hapësirë që bashkon, jo që ndan.
“Lojtarët duan të luajnë dhe përfaqësojnë popullin e tyre. Ata janë kualifikuar dhe meritojnë të jenë aty”, u shpreh Infantino, duke shtuar se sporti duhet të qëndrojë sa më larg ndikimeve politike, edhe pse pranoi se kjo nuk është gjithmonë e lehtë në realitetin global.
Ai zbuloi gjithashtu se kishte takuar ekipin iranian së fundmi në Antalia dhe ishte impresionuar nga përkushtimi dhe dëshira e tyre për të garuar në skenën më të madhe të futbollit botëror.
FIFA World Cup 2026 do të organizohet nga Shtetët e Bashkuara të Amerikës, Canada dhe Meksika, ndërsa sipas planit aktual, Irani pritet të zhvillojë ndeshje në Kaliforni dhe Seattle.
Megjithatë, zhvillimet e fundit politike dhe konfliktet në rajon kanë ngritur pikëpyetje rreth pjesëmarrjes së tyre, me deklarata të ndryshme nga zyrtarët dhe shqetësime të ngritura edhe nga Donald Trump për çështje sigurie.
Pavarësisht kësaj, qëndrimi i FIFA-s mbetet i qartë: nëse një skuadër kualifikohet në fushë, ajo duhet të ketë mundësinë të garojë.






