16.8 C
Pristina
Wednesday, April 15, 2026

Distria Krasniqi synon medalje në Evropianin e xhudos, Kosova me përfaqësim të fortë në Tbilisi

Kampionia olimpike dhe bartësja e parë, Distria Krasniqi, do të garojë këtë të enjte në Tbilisi të Gjeorgjisë, në ditën e parë të European Judo Championships 2026, ku synon një tjetër medalje në karrierën e saj të jashtëzakonshme.

Xhudistja kosovare hyn në këtë Evropian si favorite e madhe në kategorinë deri në 52 kilogramë, një divizion ku Kosova ka pasur dominim të gjatë. Krasniqi është një nga emrat më të mëdhenj të xhudos botërore, kampione olimpike në Tokio 2020 dhe nënkampione olimpike në Paris 2024, duke e konfirmuar vazhdimisht statusin e saj në elitën botërore.

Në Kampionatet Evropiane, ajo ka një bilanc mbresëlënës: medalje ari në 2021, 2024 dhe 2025, argjend në 2018 dhe 2023, si dhe bronz në 2020 dhe 2022. Forma e saj e qëndrueshme është një nga armët kryesore, pasi ka arritur medalje në 15 garat e fundit radhazi, shumica prej tyre me paraqitje në finale.

Në kategorinë deri në 52 kilogramë garojnë 24 xhudiste, ku ndër rivale kryesore për medaljen e artë vlerësohen Reka Pupp dhe Roza Gyertyas nga Hungaria, italiania Odette Giuffrida dhe francezja Amandine Buchard. Megjithatë, Krasniqi mbetet emri kryesor për t’u mposhtur në këtë kategori.

Në ditën e parë të Evropianit zhvillohen edhe kategoritë deri në 48 kg për femra dhe deri në 60 kg e 66 kg për meshkuj.

Në 48 kg, Kosovën e përfaqëson Erza Muminoviq, e cila po rikthehet pas një pauze dhe synon një paraqitje sa më të mirë, me kualifikimin në tetëshen më të mirë si rezultat të rëndësishëm.

Në 52 kg garon gjithashtu Fatjona Kasapi, e cila po rikthehet pas një dëmtimi të gjatë, por ka dhënë sinjale pozitive me vendin e shtatë në Grand Slamin e Parisit.

Të premten në garë hyjnë edhe Laura Fazliu në kategorinë deri në 63 kg, si dhe Akil Gjakova e Dardan Cena në 73 kg. Fazliu shihet si pretendente për medalje, ndërsa Gjakova, si bartës i pestë, pritet të ketë konkurrencë të fortë në një kategori shumë të ngarkuar me 41 garues.

Në Kampionatin e 75-të Evropian të xhudos marrin pjesë gjithsej 402 garues nga 46 shtete, duke e bërë këtë një nga edicionet më të forta në historinë e garës.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA