NP “Termokos” ka njoftuar se ka përmbyllur zyrtarisht sezonin ngrohës 2025/2026, pas 191 ditësh furnizimi të pandërprerë me energji termike për mbi 25 mijë konsumatorë në Prishtinë.
Sipas njoftimit, vendimi është marrë në përputhje me rregulloren e ZRRE-së për furnizim me energji, si dhe duke u bazuar në parashikimet meteorologjike për ditët në vijim.
“NP ‘Termokos’ Sh.A. ka marrë vendim që sot të përmbyllë sezonin ngrohës 2025/2026, pas plot 191 ditë furnizimi me ngrohje për mbi 25 mijë konsumatorë”, thuhet në njoftim.
Ky sezon konsiderohet ndër më të gjatët dhe më të suksesshmit në historinë e ndërmarrjes, pasi furnizimi me ngrohje ka nisur tetë ditë para afatit të zakonshëm dhe është zhvilluar pa asnjë ndërprerje.
“Sezoni ngrohës 2025/2026 shënon një nga sezonet më të gjata dhe më të suksesshme, ku për herë të parë furnizimi ka filluar 8 ditë më herët dhe pa asnjë ditë ndërprerje”, theksohet më tej.
Gjatë kësaj periudhe janë prodhuar gjithsej 338.902 MWh energji termike, duke siguruar furnizim të qëndrueshëm dhe cilësor për konsumatorët.
Nga ndërmarrja bëhet e ditur se përmirësimi i shërbimeve dhe aplikimi i faturimit sipas konsumit kanë ndikuar që mbi 60 për qind e konsumatorëve të kenë fatura më të ulëta, ndërsa numri i ankesave është ulur për rreth 70 për qind krahasuar me sezonin paraprak.
“Këto rezultate janë arritur falë menaxhimit efikas dhe angazhimit të vazhdueshëm të stafit”, thuhet në njoftim.
Në përfundim, Termokos ka bërë të ditur se do të vazhdojë me zbatimin e planit aksional veror, me synim përgatitjen për sezonin e ardhshëm ngrohës dhe realizimin e projekteve kapitale për zgjerimin e rrjetit dhe rritjen e numrit të konsumatorëve.






