Lidhja Demokratike e Kosovës e ka cilësuar skandaloze deklaratën e Ministrisë së Industrisë pas shqiptimit të gjobave ndaj KEDS për njehsorët me afat të skaduar.
Anëtari i LDK-së, Visar Azemi, ka deklaruar se ministria po mburret me gjobat, por sipas tij ato janë selektive dhe nuk adresojnë problemin thelbësor.
“Ministria po mburret me gjobat, por po tregohet selektive. Gjobat e vëna përveç selektive janë edhe të manipuluara dhe nuk trajtojnë thelbin kryesor të problemit”, ka thënë Azemi.
Ai ka theksuar se fokusi duhet të jetë kompensimi i qytetarëve që, sipas tij, janë faturuar padrejtësisht.
“Pra, po le ta gjobisin KEDS-in, madje jo me 1,500 euro por me 5,000 euro me gjobën maksimale, por qëllimi kryesor duhet të jetë të kompensohen qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët i kanë faturuar padrejtësisht duke i manipuluar njehsorët elektrikë të tyre dhe duke i fshehur faktet dhe dëshmitë”, tha ai në një konferencë për media.
Azemi ka bërë të ditur se, sipas pretendimeve të tyre, situata në terren vazhdon të jetë problematike.
“Edhe sot në këto momente kur po flasim janë duke ndodhur dy gjëra: E para, në terren KEDS dhe Ministria po i bëjnë ndërrimet e njehsorëve. Dhe e dyta, anëtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilët kanë qenë pjesë e ekipit tim, janë në prokurori duke dhënë dëshmi për faktet e gjetura tona, të cilat i kemi bërë të njohura”, theksoi Azemi.
LDK ka denoncuar më herët se njehsorët e energjisë elektrike po faturojnë gabimisht, duke aplikuar tarifa më të larta edhe gjatë orëve kur çmimi duhet të jetë më i ulët. Sipas kësaj partie, nga 884 njehsorë të verifikuar, rreth 87 për qind kanë rezultuar me parregullsi në matje.
Raportimet për këto çështje kanë nxitur edhe reagimin institucional, ku Ministria e Industrisë ka formuar një komision të posaçëm për verifikimin e njehsorëve të dyshimtë, ndërsa numri i ankesave nga qytetarët ka kaluar mbi 500.
Në anën tjetër, KEDS ka mohuar këto pretendime, duke ftuar qytetarët që të paraqesin ankesat e tyre për verifikim.






