Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi sot në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, e organizuar në shënim të Ditës Memoriale për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale të Luftës “Ma kthe dritën”, se kjo ditë është një thirrje për mbarë shoqërinë.
Ai theksoi se heshtja dhe stigma që rëndojnë mbi viktimat e këtij krimi lufte vazhdojnë të pengojnë mijëra të mbijetuar, siç u shpreh, që të kërkojnë drejtësi dhe mbështetje.
“Kjo ditë është edhe thirrje për mbarë shoqërinë, që të mbështesë edhe gratë e burrat e tjerë të mbijetuar që vazhdojnë të përballen me paragjykime, në kërkim të të drejtave që atyre u takojnë. Heshtja dhe stigma që ende rëndojnë mbi viktimat e këtij krimi lufte vazhdojnë të pengojnë mijëra të mbijetuar që të kërkojnë drejtësi dhe mbështetje”.
“Kjo heshtje nuk duhet të jetë më barrë e juaja, ajo është përgjegjësi e jona si shoqëri për ta thyer atë. Është detyra jonë si shtet e shoqëri që të ofrojmë përkrahjen tonë maksimale me empati dhe respekt të thellë njerëzor”, tha ai.
Kurti u shpreh se derisa Kosova nderon viktimat e krimeve të luftës, Serbia vazhdon të shërbejë si strehë për fshehjen e kriminelëve.
“Kosova nderon viktimat e krimeve të luftës, e Serbia vazhdon të shërbejë si strehë për fshehjen e kriminelëve dhe mohimin e krimeve. Sot Kuvendi ynë i Republikës së Kosovës nderon viktimat e dhunës seksuale të përdorur si armë lufte, e Kuvendi i Serbisë, pak ditë më parë u shndërrua në hapësirë për falsifikim institucional të së vërtetës dhe glorifikim të njësive përgjegjëse për krime lufte në Kosovë”, tha ai.






