Në një intervistë për revisten spanjolle GQ, Kylian Mbappe ka folur gjerësisht për rrugëtimin e tij në futboll, jetën te Real Madridi dhe sfidat që sjell loja në nivelin më të lartë, duke dhënë një pasqyrë më të thellë përtej paraqitjeve në fushë.
Sulmuesi francez u ndal te presioni i madh që shoqëron futbollin modern, kalendari i ngjeshur dhe rëndësia e forcës mendore për të qëndruar në majë. Sipas tij, suksesi nuk varet vetëm nga talenti, por edhe nga qëndrueshmëria psikologjike dhe aftësia për të udhëhequr në momentet vendimtare.
Duke folur për Real Madridin, Mbappe e përshkruan si një ëndërr të realizuar dhe një privilegj të madh për çdo futbollist.
“Për mua, është si një dhuratë nga Zoti. Të kem mundësinë të jetoj me pasionin tim, të luaj ndeshjet më të mira dhe të jem në klubin më të mirë në botë”, u shpreh ai.
Francezi shton se çdo ditë e kaluar në Madrid është një eksperiencë e veçantë, ku motivimi dhe përgjegjësia ecin bashkë.
“Jam gjithmonë jashtëzakonisht mirënjohës që jam në fushë, që zgjohem çdo mëngjes për të bërë atë që më bën të lumtur”, ka thënë Mbappe.
Ai nuk ka lënë pa përmendur as “Santiago Bernabeu”, të cilin e konsideron një nga stadiumet më të veçanta në botë për nga historia dhe atmosfera që krijohet në çdo ndeshje.
“Më pëlqen të jem në fushë dhe të ndjej se po luaj në një nga stadiumet më të mira në botë, në një vend që është ndër më të mëdhenjtë në historinë e futbollit”, ka deklaruar francezi.
Në këtë intervistë, Mbappe ka folur gjithashtu për mentalitetin fitues që kërkon Real Madridi dhe për përgjegjësinë që vjen me fanellën e bardhë, duke theksuar se çdo ndeshje është një sfidë më vete dhe një mundësi për të shkruar histori të re.






