Talenti i ri i Barcelonës, Lamine Yamal, ka marrë vëmendje të madhe në Spanjë në prag të sfidës vendimtare ndaj Atletico Madridit në çerekfinalen e Ligës së Kampionëve. Veprimet e tij së fundmi, si në konferencë për shtyp ashtu edhe në rrjetet sociale, janë parë si një sinjal motivimi dhe besimi për rikthim.
Gjithçka nisi fundjavën e kaluar, kur Yamal vendosi të ndryshojë foton e profilit në Instagram. Ai publikoi një imazh të legjendës së basketbollit, LeBron James, duke festuar titullin e NBA-së në vitin 2016, një zgjedhje që mbart një mesazh të qartë simbolik.
“LeBron është një nga figurat që më frymëzon më shumë dhe kjo ishte arsyeja pse e vendosa atë si foto profili”, u shpreh fillimisht Yamal. Ai shtoi se mënyra se si amerikani përmbysi një situatë të vështirë është pikërisht ajo që dëshiron të përsërisë edhe vetë në fushë.
Kjo lidhet drejtpërdrejt me finalet historike të NBA-së në vitin 2016, kur Cleveland Cavaliers, me LeBron në krye, arritën të rikthehen nga një disavantazh 1-3 ndaj Golden State Warriors, një sukses i paprecedentë në atë nivel.
Situata aktuale e Barcelonës ka ngjashmëri me atë histori, pasi katalunasit kërkojnë të përmbysin humbjen 0-2 nga ndeshja e parë dhe të sigurojnë kualifikimin në transfertë ndaj Atleticos.
“Ne jemi Barcelona dhe synojmë kualifikimin”, është mesazhi i qartë i Yamal përpara përballjes.
Ndërkohë, tensioni rreth kësaj sfide është rritur edhe më shumë pasi trajneri Hansi Flick ka paraqitur një ankesë në UEFA lidhur me gjendjen e fushës në stadiumin e Atletico Madridit, duke treguar se çdo detaj po trajtohet me serioz maksimal.






