Kylian Mbappé është rikthyer në stërvitje me Real Madridin vetëm dy ditë para përballjes vendimtare ndaj Bayern Munich në Ligën e Kampionëve.
Sulmuesi francez u stërvit normalisht me pjesën tjetër të skuadrës, duke larguar dyshimet për gjendjen e tij fizike pas incidentit në ndeshjen ndaj Gironës, ku pësoi një prerje në kokë pas një dueli ajror.
Pjesëmarrja e tij në seancën e së hënës tregon se problemi është nën kontroll, ndërsa stafi mjekësor po vazhdon ta menaxhojë me kujdes, por pa kufizime serioze. Edhe pse kishte shqetësime se Mbappé mund të mungonte në këtë sfidë vendimtare, tashmë pritet që ai të jetë i gatshëm për lojë dhe potencialisht edhe në formacionin startues të trajnerit Álvaro Arbeloa.
Kujtojmë se Real Madridi e humbi ndeshjen e parë ndaj Bayern Munich me rezultatin 1–2, ndaj tani i duhet një përmbysje e madhe për të siguruar kualifikimin, sidomos duke marrë parasysh se ndeshja e kthimit do të zhvillohet në “Allianz Arena”.
Përballja e zjarrtë mes dy gjigantëve evropianë do të zhvillohet të mërkurën në orën 21:00.






