Shtëpia e futbollit botëror, FIFA, raportohet se po diskuton mundësinë e krijimit të një “play-off”-i të fundit, në rast se Irani vendos të tërhiqet nga Kupa e Botës 2026 për shkak të situatës së ndërlikuar politike.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, pjesëmarrja e Iranit mbetet e pasigurt, ndërsa ende nuk është marrë një vendim përfundimtar. Për këtë arsye, FIFA thuhet se po shqyrton skenarë alternativë për plotësimin e një vendi të mundshëm bosh në turne.
Një nga idetë e përmendura është organizimi i një mini “play-off”-i me katër kombëtare, dy nga Evropa dhe dy nga Azia. Megjithatë, mënyra e përzgjedhjes së ekipeve evropiane ende nuk është e qartë dhe nuk ka asnjë vendim zyrtar.
Nëse do të merrej për bazë renditja botërore, disa nga kombëtaret e përmendura në diskutime janë Italia, Danimarka dhe Polonia, ndërsa Kosova renditet më poshtë në klasifikim dhe aktualisht nuk përmendet në listat e mundshme.
Për momentin, këto mbeten vetëm diskutime dhe skenarë hipotetikë, pasi as FIFA dhe as autoritetet iraniane nuk kanë konfirmuar ndonjë vendim përfundimtar. Sipas raportimeve, një zhvillim i mundshëm në këtë çështje mund të vijë në muajt e ardhshëm, pak para nisjes së turneut.






