Mesjava sjell kulmin e dramës në basketbollin kosovar, teksa përfundon faza e rregullt e Superligës dhe gjithçka mbetet e hapur deri në sekondat e fundit. Gara është më e zjarrtë se kurrë, me pozitat vendimtare që do të përcaktohen vetëm pas ndeshjeve të fundit.
Java e 28-të ofron përballje tejet interesante: Trepça përballet me Sigal Prishtinën, Vëllaznimi ndeshet me Pejën, ndërsa Golden Eagle Ylli sfidon Rahovecin 029 – duele që pritet të vendosin fatin e shumë skuadrave.
Vëmendja kryesore është te gara për vendin e katërt, ku Peja dhe Ylli luftojnë kokë më kokë për një pozicion më të favorshëm në “Play-off”.
Ndërkohë, beteja në fund të tabelës është po aq dramatic, Sigal Prishtina ka 37 pikë, vetëm një më shumë se Rahoveci 029 dhe Vëllaznimi, duke e bërë çdo posedim vendimtar në luftën për mbijetesë.
Dy vendet e para tashmë kanë siguruar kalimin direkt në gjysmëfinale, ndërsa në çerekfinale do të përballen vendi i tretë me të gjashtin dhe i katërti me të pestin, një formulë që premton emocione të mëdha në fazën eliminatore.
Të gjitha ndeshjet zhvillohen sot, më 8 prill, nga ora 18:45, në një mbrëmje që pritet të vendosë përfundimisht fatin e sezonit të rregullt.






