Ish-mesfushori i Arsenal, Aaron Ramsey, ka njoftuar zyrtarisht tërheqjen nga futbolli profesionist, duke i dhënë fund një karriere të gjatë dhe të suksesshme.
35-vjeçari, i cili së fundmi ishte pjesë e UNAM Pumas deri në tetor të vitit 2025, ka lënë gjurmë në disa prej klubeve më të njohura evropiane, përfshirë Juventus, Rangers, Nice dhe Cardiff City.
Në një deklaratë të publikuar nga Federata e Futbollit e Uellsit, Ramsey pranoi se vendimi për t’u larguar nga futbolli nuk ishte aspak i lehtë.
“Pas shumë reflektimeve, kam vendosur t’i jap fund karrierës sime si futbollist. Nuk ka qenë një vendim i lehtë,” u shpreh ai.
Ai rezervoi fjalë të veçanta për përfaqësuesen e vendit të tij, duke e cilësuar si një privilegj të jashtëzakonshëm të veshte fanellën e Uellsit dhe të përjetonte momente të paharrueshme në arenën ndërkombëtare. Po ashtu, falënderoi të gjithë trajnerët dhe stafet me të cilët ka punuar ndër vite, për mbështetjen dhe besimin e dhënë.
Ramsey nuk harroi as klubet ku ka luajtur, duke theksuar mirënjohjen për mundësinë që i dhanë për të realizuar ëndrrën e tij dhe për të konkurruar në nivelet më të larta të futbollit evropian.
Në fund, një falënderim i veçantë shkoi për familjen e tij, për të cilën tha se ka qenë shtylla kryesore gjatë gjithë rrugëtimit të tij.
Me këtë vendim, Ramsey mbyll një kapitull të rëndësishëm në futboll, duke lënë pas një karrierë të pasur me suksese dhe kujtime të paharrueshme.






