PËRGATITI: PRANVERA KRASNIQI
Përderisa Prishtina është i vetmi qytet në Kosovë me qendër për kujdesin e fëmijëve të braktisur, mungesën e qendrave të tilla në qytetet e tjera përfaqësuesit e Qendrave për Punë Sociale e arsyetojnë me numrin e vogël të braktisjes së fëmijëve gjatë viteve të fundit.
Në 6-mujorin e parë të këtij viti, sipas të dhënave zyrtare të Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë, nuk është braktisur asnjë fëmijë.
Ndërkohë, fëmijët që u braktisën viteve të kaluara, vazhdojnë të qëndrojnë në “Sos Fshatin” në kryeqytet.
“Është organizatë nacionale për krejt vendin pa dallim feje edhe i përgjigjemi kërkesave të qendrës për punë sociale për kërkesat që vijnë nga e gjithë Kosova”.
Mirëpo, veç Prishtinës, “Sos Fshatra” nuk ka në qytetet e tjera. E mungesën e tyre, e arsyeton Qendra për Punë Sociale, pasi, sipas saj, numri i braktisjes së fëmijëve është në rënie.
“Numri i adoptimeve në nivel vendi është numër pak më i zbehur, për shkak se kemi numër të vogël të fëmijëve të braktisur muajt e fundit, Sepse me fushata të ndryshme, organizime edhe ka rrjedhë vetëdijesimi i nënave.”
Në mungesë të “Sos Fshatrave”, sipas udhëheqësit të Kujdesit Alternativ, Besnik Peci, ka pika orientuese që shërbejnë për identifikimin dhe trajtimin e rasteve.
“I kemi qendrat në Graçanicë e Fushë Kosovë ku identifikojmë raste, kudo që braktiset një fëmijë në Kosovë, qendrat së bashku me ne merremi për t’iu ofruar kujdesin adekuat fëmijëve, kudo që vendosen në kujdes alternativ”.
Në anën tjetër, nga viti 2019, asnjë fëmijë i braktisur nuk është ribashkuar me familjen biologjike, derisa për adoptim disa familje janë duke kaluar në procedurat që i takojnë këtij procesi.
Sipas legjislacionit për mbrojtjen e fëmijëve të braktisur, këta të fundit së pari strehohen në qendra sociale për të vazhduar në SOS Fshatrat, pastaj për ta hapen edhe procedurat për adaptim.