Scott Bamforth ishte ylli i javës së 27-të në ProCredit Superligë, duke u shpallur MVP i javës falë një paraqitjeje të jashtëzakonshme me fanellën e Golden Eagle Ylli.
Basketbollisti në fjalë shkëlqeu në përballjen ndaj Borës, ku realizoi 38 pikë, katër kërcime dhe tetë asistime, duke arritur indeksin më të lartë të javës – 45.
Edhe pse Peja u mposht nga Bashkimi, Cesare Edwards pati një paraqitje shumë të mirë me 29 pikë dhe 14 kërcime. Në anën tjetër, te “Portokallezinjtë” u dallua Jalen Riley me 27 pikë, shtatë kërcime dhe tri asistime.
Fitore shumë të rëndësishme arriti Vëllaznimi ndaj Sigal Prishtina, ku më i miri ishte Jericole Hellems me 23 pikë, gjashtë kërcime dhe tetë asistime.
Ndërkohë, Trepça vazhdoi formën e mirë duke regjistruar fitoren e 19-të radhazi. Në përballjen ndaj Rahoveci 029, u dallua Drilon Hajrizi me 18 pikë, dhjetë kërcime dhe pesë asistime.
Java e 27-të solli paraqitje të nivelit të lartë dhe garë të fortë mes skuadrave në elitën e basketbollit kosovar.






