9.4 C
Pristina
Friday, April 3, 2026

Apeli e vërteton burgimin e përjetshëm për dy vëllezërit Vllasaliu për vrasjen makabre të Bedri Rexhepit

Gjykata e Apelit e Kosovës ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore për burgim të përjetshëm ndaj vëllezërve Jeton dhe Nexhat Vllasaliu për vrasjen makabre të biznesmenit Bedri Rexhepi. Në vendimin e së premtes, Apeli i ka refuzuar si të pabazuara pretendimet e të dënuarve për zbutje të dënimit.

Sipas aktakuzës, gjatë periudhës 9 janar 2021 – 8 prill 2021, vëllezërit Vllasaliu kishin planifikuar për ta vrarë Rexhepin me qëllim të përfitimit të pasurisë. Viktima ishte vënë në lajthitje nga vëllezërit, të cilët i kishin ofruar për shitje dy vetura në vlerë prej 30 mijë eurosh.

Më 8 prill 2021, Rexhepi kishte shkuar në shtëpinë e njërit prej të pandehurve. Sipas aktakuzës, Jetoni duke e ngufatur e ka mbytur Rexhepin, duke menduar se do të merrte shumën e të hollave prej 30 mijë eurosh. Mirëpo, te viktima u gjetën vetëm 8 mijë euro. Vëllezërit i ndanë mjetet dhe më pas e dërguan kufomën në katin e tretë të shtëpisë, duke provuar t’i fshijnë provat dhe duke e varrosur.

Në aktakuzë thuhej se Nexhat Vllasaliu kishte dërguar veturën e të ndjerit Rexhepi në arat e fshatit Shushicë të Graçanicës, duke u koordinuar vazhdimisht me Jetonin për këto veprime.

Pas më shumë se një viti nga vrasja, mbetjet mortore të Rexhepit u gjetën më 30 shtator 2022 në vendin e quajtur Mali i Madh në Vllasali të Novobërdës.

“Sa i përket pretendimeve ankimore lidhur me shkeljen e ligjit penal, Gjykata e Apelit vlerëson se shkalla e parë në mënyrë të plotë dhe të drejtë ka vërtetuar ekzistimin e secilës vepër penale, pasi që ka vlerësuar të gjitha provat sikurse ato personale e po ashtu edhe ato materiale, andaj kolegji gjykues vlerëson se gjykata e shkallës së parë në mënyrë të drejtë dhe të plotë ka vërtetuar gjendjen faktike kur të akuzuarit i ka shpallur fajtor , pasi që nuk ekzistojnë rrethana që e përjashtojnë përgjegjësinë penale dhe ndjekjen penale nga të akuzuarit.”, thuhet në njoftim.

“Duke i vlerësuar të gjitha rrethanat e përshkruara si në këtë aktgjykim, kolegji gjykues është i bindur se me dënimin e shqiptuar me burgim të përjetshëm do të arrihet efekti dhe qëllimi i tij, që të parandalojë kryerësit nga kryerja e veprave penale në të ardhmen dhe të bëjë rehabilitimin e tij, të parandalojë personat e tjerë nga kryerja e veprave penale, të bëjë kompensimin e viktimave ose të komunitetit për humbjet ose dëmet e shkaktuara dhe të shprehë gjykimin shoqëror për veprën penale, ngritjen e moralit dhe forcimin e detyrimit për respektimin e ligjit”, thuhet tutje.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA