Gabriele Gravina ka dhënë zyrtarisht dorëheqjen nga posti i presidentit të Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), pas dështimit të kombëtares italiane për t’u kualifikuar në Kupën e Botës për të tretin cikël radhazi.
Gravina e paraqiti dorëheqjen gjatë një mbledhjeje emergjente të Këshillit të Përgjithshëm të FIGC-së, pas humbjes së Italisë në finalen e playoff-it të Botërorit ndaj Bosnje dhe Hercegovinës, të martën në mbrëmje.
Zgjedhjet për emërimin e pasuesit të tij do të zhvillohen më 22 qershor. Në mbledhjen emergjente të FIGC-së morën pjesë presidenti i Serie A, Ezio Simonelli, presidenti i Serie B, Paolo Bedin, presidenti i Serie C, Matteo Marani, presidenti i ligave amatore Giancarlo Abete, kreu i shoqatës së lojtarëve Umberto Calcagno dhe kreu i shoqatës së trajnerëve Renzo Ulivieri. Gravina kishte mbajtur postin më të lartë në federatën italiane të futbollit që nga tetori i vitit 2018.
Gjatë mandatit të tij, Italia fitoi Euro 2020, por gjithashtu dështoi të kualifikohej në Kupat e Botës 2022 dhe 2026, ndërkohë që ai ishte në krye. Kujtojmë se Italia kishte dështuar të kualifikohej edhe për Botërorin 2018, para se Gravina të merrte detyrën.
Ai gjithashtu ishte përgjegjës për emërimin e Luciano Spalletti dhe Gennaro Gattuso si përzgjedhës të kombëtares italiane, përkatësisht në vitet 2023 dhe 2025.
Mbetet për t’u parë se kush do të marrë drejtimin e Federatës Italiane të Futbollit në të ardhmen.






