Federata e Futbollit e Turqisë ka publikuar programin zyrtar për ndeshjen e ardhshme kundër Kosovës, me turqit që kanë vendosur të mos zhvillojnë stërvitje në “Fadil Vokrri”.
Të hënën, kombëtarja turke do të zhvillojë stërvitje paradite në qendrën e saj stërvitore, dhe më pas do të udhëtojë drejt Prishtinës.
Në orën 18:00, është planifikuar një ecje e lojtarëve në fushën e stadiumit “Fadil Vokrri”, ndërsa në 18:15 do të mbahet konferenca zyrtare për shtyp, ku do të paraqiten përzgjedhësi Vincenzo Montella dhe një lojtar nga ekipi turk.
Edhe Kosova do të ndjekë praktikat e zakonshme para ndeshjes, duke mos stërvitur në stadiumin e ndeshjes, por do të realizojë vetëm një ecje simbolike në fushë – një model që u ndoq edhe në ndeshjet e udhëtimeve në Lubjanë dhe Bratislavë.
Ndeshja mes Kosovës dhe Turqisë do të zhvillohet të martën në orën 20:45 dhe do të vendosë një skuadër për në Botërorin 2026, që do të mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.






