Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka uruar besimtarët myslimanë me rastin e festës së Fitër Bajramit pas vizitës së tij në Bashkësia Islame e Kosovës.
Gjatë takimit, Rama falënderoi Myftiun Naim Tërnava për bashkëpunimin e deritanishëm dhe shprehu shpresën që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Ai vlerësoi kontributin e Bashkësisë Islame për paqen dhe përmirësimin e shoqërisë në kryeqytet dhe gjithë Kosovën.
“Sot pata kënaqësinë këtu me ardhë edhe me vizitu Myftiun Tërnava, me ju uru muajin e shenjtë të Ramazanit, me ia bë për hajër Bajramin. Me falënderu për punën mrekullueshme që bën Bashkësia Islame e Kosovës në kryeqytet edhe në gjithë Kosovën për shoqninë tonë, që gjithmonë punojnë për paqe, punojnë për bashkëpunim të mirëfilltë, punojnë për një të ardhme më të ndritshme të vendit tonë. Prandaj e falënderova nga zemra. Faleminderit shumë Myfti për bashkëpunimin e mrekullueshëm që e kemi së bashku me kryeqytetin e uroj që të vazhdojmë edhe tutje mirë e më mirë. Urime! Urime të gjithë besimtarëve muslimanë”, tha i pari i kryeqytetit.






