7.2 C
Pristina
Wednesday, March 18, 2026

Nis zgjerimi i Qendrës së Xhudos në Pejë, investim i madh për sportin dhe të ardhmen olimpike të Kosovës

Në Peja kanë nisur zyrtarisht punimet për zgjerimin e Qendrës Nacionale të Xhudos, një projekt i rëndësishëm që synon të avancojë më tej këtë sport dhe të krijojë kushte moderne për sportistët kosovarë. Ky investim shihet si një hap strategjik për forcimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke u mbështetur në sukseset e shumta olimpike dhe botërore të xhudos.

Në ceremoninë e vënies së gurthemelit morën pjesë figura kyçe të sportit dhe institucioneve, përfshirë kryeministrin Albin Kurti, kryetarin e Federatës së Xhudos Agron Kuka, trajnerin e mirënjohur Driton Kuka, si dhe përfaqësues të tjerë institucionalë.

Kryetari i Federatës së Xhudos, Agron Kuka, e cilësoi këtë projekt si një moment historik për sportin në Kosovë, duke rikujtuar rrugëtimin e vështirë të xhudos ndër vite:

“Para plot 30 vitesh, pak metra nga këtu, ka qenë babai im që ka vendosur një gurthemel. E ai ka qenë gurthemeri i mbijetesës. Po, ka qenë mbijetesa e sportit fisnik të xhudos pas uzurpimit të palestrave publike nga okupuesi serb. Dhe pas çlirimit, në po atë vend vazhdoi puna e madhe e sakrifica për përfaqësimin e shtetit tonë gjithandej botës, deri në arritjet kulminante që deri tani numërojnë pesë medalje olimpike, dhjetëra evropiane e botërore, e qindra të tjera ndërkombëtare. Përveç që i gjithë komuniteti ndërkombëtar i sportit u njoftua me potencialin e një shteti të ri, po ashtu u ngrit edhe kurioziteti se çfarë qëndron pas kësaj. Dhe kjo kuriozitet u shua në vitin 2021, ku shkëlqeu emri i vëllait tonë, Driton Toni Kukës, si trajneri më i mirë në Evropë dhe botë, i shpallur nga Federata Evropiane dhe ajo Botërore. E ky gurthemel po vendoset për mundësi më të mëdha, si në zhvillimin e sportit, po ashtu edhe në promovimin e vendit tonë përmes organizimit të aktiviteteve trajnuese e garuese ndërkombëtare. Njëra nga ato do të jetë edhe organizimi i garës prestigjioze të Lojërave Mesdhetare në sportin e xhudos dhe sportin e karatesë”, theksoi Kuka.

Nga ana tjetër, kryeministri Albin Kurti vuri në pah rëndësinë strategjike të këtij investimi dhe standardet që pritet të sjellë projekti:

“Kjo qendër ku ndodhemi aktualisht është përuruar në shtator të vitit 2021. Një pjesë e rrugës drejt medaljeve olimpike në ‘Paris 2024’ është shtruar pikërisht këtu. Pjesa tjetër është bërë në kushte më të vështira, por me punë dhe përkushtim, kjo ekip e jashtëzakonshme e xhudos ka sjellë medalje të arta olimpike nga Rio dhe Tokio. Me angazhimin e pandalshëm të Federatës së Xhudos për ta ngritur Kosovën edhe më lart, në kuadër të programit ‘Kosova shtet i xhudos’, sot po nisim këtë investim të ri. Ky projekt përfshin: Palestër të re të xhudos me standarde ndërkombëtare, objekt multifunksional që përfshin akomodim, pishinë, sallë fitnesi dhe restorant. Projekti do të krijojë kushtet që xhudoja e Kosovës të vazhdojë punën përpara, të forcojë rolin e saj si qendër stërvitore në Evropë dhe njëkohësisht të kontribuojë në zgjerimin dhe ngritjen e sportit, turizmit dhe ekonomisë në vendin tonë. Pikërisht këtu, në hapësirat e palestrës së re të xhudos, do të zhvillohen edhe garat e sporteve luftarake në kuadër të Lojërave Mesdhetare 2030”, bëri të ditur Kurti.

Ndërkohë, trajneri i mirënjohur Driton Kuka e cilësoi këtë moment si kulmin e një pune të gjatë dhe sakrifice të përbashkët, duke theksuar rëndësinë e kushteve që po krijohen për brezat e rinj:

“E kemi pasur palestrën në një shkollë fillore ku kem stërvitur të gjitha klubet sportive në qytetin e Pejës dhe faktikisht mua më është dukur hapësirë shumë e vogël koha për të arritur diçka dhe gjithmonë e kam pasur në kokë që të fillojmë diçka, të kemi palestër 24 orë në ditë. Edhe pse ajo ka qenë palestër modeste por koha ka qenë e artë, koha ka qenë ajo që mua më është dashur si trajner që të ndërtojë ato që janë ndërtuar sot. Kështu që përgjegjësi dhe përkushtim kërkoj nga të gjithë këta sportistë, trajnerë e komunitet i xhudos, shteti tani po investon shumë seriozisht në ju dhe ju duhet t’ia ktheni me punë e përkushtim, rezultate e medalje”, tha Kuka.

Zgjerimi i kësaj qendre pritet të ndikojë drejtpërdrejt në përgatitjen e sportistëve për garat ndërkombëtare, përfshirë edhe Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, ku Kosova synon të paraqitet denjësisht si organizatore dhe konkurrente.

Ky projekt konsiderohet si një tjetër dëshmi e investimeve në sport, me synimin që Kosova të vazhdojë të prodhojë kampionë dhe të forcojë imazhin e saj në skenën globale.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA