Sulmuesi francez Marcus Thuram duket se po përballet me një periudhë të vështirë te Interi, me raportimet që sugjerojnë një largim të mundshëm gjatë afatit kalimtar veror.
Rënia e formës së 28-vjeçarit është arsyeja kryesore e shqetësimeve, pasi që nga fillimi i vitit ai është dukur larg nivelit që e karakterizonte më parë në fushë.
Dikur një golashënues i besueshëm dhe një element shumë i rëndësishëm në repartin ofensiv të Interit, Thuram tani po përpiqet të rikthejë formën e tij të mëparshme. Përveç kësaj, edhe faktori i moshës dhe disa probleme fizike kanë ndikuar në paraqitjet e tij.
Ndërkohë, drejtuesit e klubit zikaltër po mendojnë për të ardhmen duke ndërtuar projektin rreth talentit të ri Francesco Pio Esposito, i cili shihet si një alternativë energjike dhe një zëvendësues potencial për francezin.
Sipas raportimeve të Tuttosport, Thuram ka marrë një ofertë të majme nga Liga Profesionale Saudite, ndërsa interes për shërbimet e tij ka shfaqur edhe Barcelona.
Në këto rrethana, e ardhmja e sulmuesit francez duket gjithnjë e më larg Interit, ndërsa lideri aktual i Serie A synon që nga shitja e tij të përfitojë rreth 60 milionë euro.






