Lajmi për lirimin e tre policë kosovarë të rrëmbyer nga shteti serb më 14 qershor u shoqërua me shumë reagime, spekulime dhe pretendime të ndryshme lidhur me ndikimin e disa zyratëve apo ish-zyrtarëve në këtë proces. Por çka tha zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit?
Pas lirimit të tyre, kishe raportime – të pa konfirmuar në mënyrë të pavarur nga Nacionale – se ish i dërguari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Richard Grenell, së bashku me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, kontribuan në lirimin e policëve.
Në këtë kontekst, zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Matt Miller, u pyet rreth rolit të ish-zyrtarëve amerikanë dhe ndikimit të tyre në këtë çështje gjatë konferencës së rregullt me gazetarë, e cila u mbajt sot.
Megjithëse Miller shprehu gëzimin e tij për lirimin e tre policëve kosovarë, ai refuzoi të komentojë rreth kontributit të ish-zyrtarëve të administratës amerikane. “Nuk do ta vendos veten në atë pozicion për të folur për ish-zyrtarët e administratës,” tha ai.
Miller po ashtu ka theksuar se Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar vazhdimisht lirimin e policëve kosovarë, duke shtuar pak sarkazëm në përgjigjen e tij.
“Do të flas për qeverinë e Shteteve të Bashkuara dhe ajo që bëmë është që kërkuam lirimin e tre oficerëve të policisë.” – pohoi ai
“Siç ndodh shpesh, suksesi ka një mijë baballarë, dhe cilado qoftë arsyeja që autoritetet i liruan ata tre oficerë policie, ne jemi të lumtur që e pamë të ndodhë.” – deklaroi Miller.