Finalja e kampionatit shtetëror Mineiro në Brazil mes Cruzeiro dhe Atlético Mineiro u shoqërua me tensione të mëdha dhe një përleshje masive në minutat shtesë të ndeshjes.
Cruzeiro fitoi minimalisht 1:0 falë golit të Kaio Jorge në minutën e 60-të, pas asistimit të Gerson. Megjithatë, momenti që tërhoqi më shumë vëmendje ndodhi në kohën shtesë.
Pas një dueli për topin mes sulmuesit të Cruzeiros, Christian, dhe portierit të Atleticos, Everson, situata doli jashtë kontrollit. Christian u rrëzua mbi portierin pasi arriti i pari te topi, ndërsa Everson reagoi duke e shkelur dhe duke e goditur me gju në kokë. Ky incident shkaktoi përleshje mes lojtarëve të të dy skuadrave pranë portës së Atletico Mineiros.
Vëmendje të veçantë mori edhe veprimi i sulmuesit të Atleticos, Hulk, i cili goditi nga pas në kokë mesfushorin e Cruzeiros, Lucas Romero.
Pas ndërhyrjes së gjyqtarit u shpërndanë gjithsej 23 kartonë të kuq,12 për lojtarët e Cruzeiros dhe 11 për ata të Atletico Mineiros teksa pritet që ndaj futbollistëve të përfshirë të vendosen gjoba dhe pezullime.
Me këtë fitore, Cruzeiro u shpall kampion i shtetit të Mineiros.






