Futbollisti i West Ham United, Adama Traoré, është ndaluar të ushtrojë ngritje pesha me vendim të trajnerit Nuno Espirito Santo, pas publikimit të një videoje nga qendra stërvitore e klubit. Videoja, e postuar nga shoku i skuadrës, Crysencio Summerville, tregonte Traoré duke ngritur 145 kilogramë në palestër, një veprim që nuk ka qenë i pranueshëm për trajnerin portugez.
Në një konferencë për shtyp para ndeshjes së Ligës Premier kundër Fulhamit, Nuno ka folur për fizikun e jashtëzakonshëm të anësorit, duke e vlerësuar atë si “të pabesueshëm”. Megjithatë, trajneri ka theksuar se lojtari tashmë ka një masë muskulore të mjaftueshme dhe nuk ka nevojë të angazhohet më në ngritje peshash të rënda.
“Fiziku i tij është i mahnitshëm, është çështje gjenetike. Por ai tashmë ka mjaftueshëm muskuj dhe duhet ta shmangë palestrën për ngritje peshash,” ka deklaruar Nuno.
Ndërkohë, trajneri ka shtuar se Traoré do të vazhdojë të realizojë ushtrime parandaluese dhe programe fizike specifike për të mbajtur një formë të shkëlqyer fizike, por ngritja e peshave të rënda do të jetë jashtë mundësive të tij.
“Kam kërkuar që të qëndrojë larg peshave. Ai ka peshë të mjaftueshme për të mbajtur. Për shembull, 21-vjeçari ynë, Airidas Golambeckis, kalon shumë kohë në palestër sepse ai ka nevojë për të rritur masën muskulore, ndërsa për Traorén është e kundërta,” ka përfunduar Nuno.






