Sylvester Stallone ka ndarë me ndjekësit detaje nga përgatitjet intensive për realizimin e skenave ikonike të ringut në filmin legjendar Rocky.
Aktori 79-vjeçar publikoi në Instagram një video të rrallë nga prapaskenat, ku shfaqet përkrah Carl Weathers, i cili luajti rolin e Apollo Creed. Në pamje, dy aktorët kalojnë nëpër prova të lodhshme, duke përsosur çdo grusht, çdo lëvizje dhe çdo rënie në ring, për ta bërë çdo moment sa më realist.
“Para se Rocky të shkelte në ring, kishte orë të tilla jashtë ekranit”, shkroi Stallone, duke theksuar sakrificat fizike që qëndronin pas suksesit të filmit.
Ai zbuloi se skenarin e kishte shkruar për vetëm tre ditë e gjysmë, por përgatitja fizike dhe koreografia e skenave të boksit zgjatën me muaj të tërë. “Përsëritje. Hapa. Kohëzgjatje. Të godasësh dhe të ngrihesh përsëri në këmbë. Asgjë nuk ishte e rastësishme. Nëse do që të ndihet reale, duhet ta jetosh”, u shpreh ai.
Në një moment të videos, Stallone dëgjohet duke i dhënë udhëzime kolegut të tij, ndërsa me humor i thotë se ishte “pak i lënduar” nga kërcimet e forta. Më pas, ai bie mbi litarët e ringut pas një “grushti” nga Weathers, duke bërë shaka se “këto litarë janë si tela kitare”.
Postimi riktheu nostalgjinë e fansave për një nga filmat më të dashur të kinemasë botërore, duke dëshmuar se pas çdo skene të paharrueshme fshihet një punë e jashtëzakonshme, disiplinë dhe përkushtim total.






