RCD Mallorca ka njoftuar zyrtarisht emërimin e Martín Demichelis si trajnerin e ri të ekipit. Trajneri argjentinas ka nënshkruar një kontratë deri në fund të sezonit aktual të La Ligës, me mundësi për një vit të mëtejshëm.
Klubi e shpalli këtë lajm përmes rrjeteve sociale, ku njoftoi se Demichelis do të drejtojë skuadrën ku luan edhe Vedat Muriqi. “Martín Demichelis, trajneri i ri i RCD Mallorca. Trajneri argjentinas nënshkruan deri në fund të sezonit, me opsion për një tjetër. Mirësevini në shtëpi, Martín”, ishte mesazhi i klubit.
Ish-trajneri i River Plate vjen pas disa ditësh bisedimesh intensive, për të pasuar Jagoba Arrasate, i cili u shkarkua pas një serie të dobët rezultatesh që la Mallorcan në vendin e 18-të, vetëm një pikë mbi zonën e rënies.
Demichelis merr drejtimin e ekipit me objektivin e qartë për të siguruar mbijetesën në pjesën e mbetur të sezonit. Një nga pikat më të forta të skuadrës këtë sezon ka qenë forma e shkëlqyer e Vedat Muriqi. Sulmuesi kosovar po kalon një sezon fantastik, duke shënuar 16 gola në La Liga dhe duke qenë arma kryesore sulmuese e ekipit.






