Nga dialogu në menaxhim krize, zgjedhjet e reja përmes peticionit marrin kohë

Nevoja për zgjedhje të reja në katër komunat me shumicë serbe në Kosovë, ishte ndër pak gjërat për të cilat pati pajtim në takimet e ndara të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Krahas largimit nga Kosova ose burgosjes së ekstremistëve të dhunshëm, Kurti tha se inicimi i zgjedhjeve mund të ndodhë vetëm në pajtim me ligjin – ndërsa iu referua mundësisë për shkarkimin e kryetarëve me kërkesë të qytetarëve.

Për largimin e kryetarit të komunës, sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, si hap i parë kërkohet shprehja e vullnetit përmes nënshkrimit të kërkesës nga së paku 20% e votuesve të regjistruar në atë komunë.

Juristi Qëndrim Arifi shpjegon se zgjedhjet nuk shkaktohen në atë moment, pasi një kërkesë e suksesshme përcillet nga dy veprime të tjera kryesore, që marrin kohë.
“Pasi që të zhvillohet ky peticion me sukses, kryesuesi i Kuvendit Komunal përkatës, ka për detyrë që ato rezultate të peticionit t’i dërgojë në KQZ. Pasi që KQZ-ja ta vlerësojë ligjshmërinë e atij peticioni dhe rezultatet e suksesshme të peticionit, atëherë KQZ-ja inicion jo-proces zgjedhor, por një lloj referendumi”, tha Arifi.

Që zgjedhjet të mbahen, fillimisht, në referendumin për shkarkim duhet të votojnë më shumë se gjysma e qytetarëve me të drejtë vote.

“Pasi që KQZ-ja i nxjerr rezultatet dhe i referon te Presidentja, atëherë Presidentja, në bazë të atyre rezultateve – nëse mbi 50% e qytetarëve me të drejtë vote kanë votuar për shkarkimin e tyre – automatikisht këta kryetarë kalojnë në kryetarë të përkohshëm. Nuk ecin në shtëpi, kushtimisht, ata mbesin, administrojnë si kryetar të dorëhequr, dhe presidentja brenda afatit ligjor shpallë zgjedhjet”, tha Arifi.

Teksa si zgjidhje më të shpejtë përmend dorëheqjet eventuale nga kryetarët, opinionisti Bekim Kabashi vë theksin te kalimi nga dialogu për normalizim në dialog për menaxhim krizash.

“Nuk është vetëm forma se si do të shpallen zgjedhjet, por paraprakisht edhe deeskalimi i situatës. Tash a do të tërhiqen kryetarët e komunave dhe njësia speciale nga ajo pjesë, dhe të lirohen policët e Kosovës, që kushtimisht janë kidnapuar nga Serbia, mbetet të shihet. Por, unë besoj se kjo do të ndodhë, sepse pas kidnapimit të policëve kemi njëfarë balance të përgjegjësisë sa i përket deeskalimit të situatës, por ajo që është shqetësuese është se procesi i paqes është lënë anash”, tha analisti Bekim Kabashi.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok me pjesëmarrje 3.4% prodhuan katër kryetarë shqiptarë.

Komuniteti serb, i cili bojkotoi zgjedhjet e 23 prillit, të mbajtura për shkak të dorëheqjes së kryetarëve paraprakë nga Lista Serbe, po i kundërshton kryetarët e rinj me protesta, në të cilat ka pasur dhunë ndaj gazetarëve, Policisë dhe KFOR-it. /atvlive.tv

Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA