Kampioni i Kosovës, FC Drita, po vazhdon aventurën e tij evropiane, teksa ka arritur në fazën e “Play-Off”-it të UEFA Europa Conference League.
Skuadra nga Gjilani ka udhëtuar drejt Sllovenisë për t’u përballur me NK Celje në ndeshjen e kthimit, e cila pritet të jetë vendimtare për fatin e kualifikimit. Takimi i parë i zhvilluar në Prishtinë përfundoi me fitore 3-2 për mysafirët, të cilët realizuan golin e triumfit në minutat shtesë, duke lënë gjithçka të hapur për sfidën e dytë.
Drita, që aktualisht kryeson kampionatin kosovar, synon të bëjë një përmbysje të madhe në transfertë dhe të sigurojë një sukses historik në arenën ndërkombëtare.
Përballja mes Celjes dhe Dritës do të zhvillohet të enjten mbrëma nga ora 18:45, në një duel që pritet me interes të madh nga tifozët e futbollit kosovar.






