Sulmuesi kolumbian Luis Diaz ka një klauzolë të veçantë në kontratën e tij me Bayern Munich, e cila e detyron të mësojë gjuhën gjermane.
Sipas raportimit të BILD, lojtari duhet të ndjekë 2-3 seanca mësimore në javë dhe vlerësohet rregullisht nga brenda klubit për të demonstruar progresin e tij në gjuhë.
Klauzola nuk është thjesht formale. Në rast se Díaz nuk respekton detyrimin ose nuk tregon përparim të mjaftueshëm, klubi bavarez ka të drejtë ta ndëshkojë financiarisht, duke i zbritur nga paga një shumë që varion nga 5.000 deri në 50.000 euro.
Kjo masë tregon rëndësinë që kampionët e Gjermanisë i kushtojnë integrimit kulturor dhe komunikimit brenda skuadrës. Mësimi i gjuhës konsiderohet thelbësor për përshtatjen më të shpejtë të lojtarëve të huaj, si brenda fushës ashtu edhe jashtë saj.
Rasti i Díaz ka ngjallur reagime të shumta në mediat sportive, duke u parë si një shembull i disiplinës dhe profesionalizmit që kërkon klubi gjerman nga futbollistët e tij.






