Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, ka vazhduar traditën e ndarjes së çmimit “Ylli i Javës”, vlerësim që i takon futbollistit më të spikatur të xhiros në elitën e futbollit kosovar.
Për javën e 21-të të këtij sezoni, ky çmim i është akorduar sulmuesit të FC Ferizaj, Ruben Silva Richards, i cili ishte protagonist absolut në fitoren 2:1 ndaj FC Ballkani. Richards realizoi dy gola vendimtarë, duke i siguruar skuadrës së tij tri pikë të arta përballë kampionëve.
Vlerësimi u bë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit, ndërsa pas pranimit të çmimit, Richards u shpreh i lumtur dhe falënderues për ekipin.
Sulmuesi vlerësoi gjithashtu nivelin e Superligës së Kosovës, duke e cilësuar si një kampionat me cilësi dhe organizim të mirë. Ai theksoi se është pritur ngrohtësisht nga bashkëlojtarët dhe ambienti në klub, ndërsa çmimin ia dedikoi kapitenit të ndeshjes, Mexhit Neziri, për kontributin dhe lidershipin e treguar në fushë.
Me paraqitjen e tij vendimtare, Richards jo vetëm që i dha fitoren Ferizajt, por konfirmoi edhe formën e lartë personale në këtë fazë të kampionatit.






