Deputeti i Lidhja Demokratike e Kosovës, Besian Mustafa, ka njoftuar se do të dorëzojë sot një amendament në Komisionin Parlamentar për Buxhet për përfshirjen e buxhetit të Prishtinas në Projektbuxhetin e vitit 2026.
Sipas tij, amendamenti do të paraqitet në mbledhjen e Komisionit që mbahet në orën 13:00, me synimin për të siguruar mbështetje nga të gjitha partitë parlamentare. Mustafa ka theksuar se përfshirja e buxhetit të kryeqytetit nuk duhet të trajtohet si çështje lokale apo partiake, por si interes i përgjithshëm shtetëror.
Ai ka vlerësuar se Prishtina, si qendër kryesore ekonomike, akademike, shëndetësore dhe administrative e vendit, përballet çdo ditë me fluks të madh qytetarësh nga komunat e tjera, prandaj investimi në infrastrukturë dhe shërbime ndikon drejtpërdrejt në jetën e qindra mijëra qytetarëve në mbarë Kosovën.
Mustafa ka bërë thirrje për konsensus ndërpartiak, duke e cilësuar mbështetjen e amendamentit si domosdoshmëri për funksionalitetin e shtetit.
Në Kuvendin e Kosovës sot do të mblidhen ndaras 11 komisione parlamentare për ta shqyrtuar buxhetin për vitin 2026. Nesër, ky buxhet do të shqyrtohet në lexim të dytë në Kuvend nga ora 10:00.






