Në Gjykatën Themelore në Prishtinë do të mbahet sot seancë gjyqësore lidhur me sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit.
Para trupit gjykues do të paraqiten Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, të cilët përballen me akuza të rënda për përfshirje në ngjarjet e 24 shtatorit 2023, në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit.
Në seancën e djeshme u dëgjua dëshmitari Goran Tanevski. Ai tha se ditën kritike derisa po qëndronte me familje në hotel, dëgjuan të shtëna armësh, e pa njerëz të uniformuar e të armatosur përreth hotelit.
Dëshmitari Tanevski i cili u dëgjua përmes video-lidhjes, tha se në ditën kritike po qëndronte si turist në hotelin “Ranjska Banja” në Banjskë.
Ai tha se ditën kritike kishte parë persona që nuk janë dukur si turistë, kishte dëgjuar të shtëna armësh dhe pa njerëz të uniformuar përreth hotelit dhe një tjetër që qëndronte në hotel.
Për personin që kishin parë jashtë hotelit, dëshmitari tha se ai mbante uniformë, kishte municion dhe bombë.
“Pamë dy veta në uniformë pa shenja, pa distiktiv dhe me armë ushtarake, ai që ishte në hotel mund t’ia shihnim vetëm pushkën se uniformën jo, sepse ne ishim poshtë shkallëve. Ai po kërkonte një batanije apo të ngjashme”, tha Tanevski.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit dhe 44 të tjerëve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit. Të akuzuarit ngarkohen se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, tentuan ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës e t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç’rast si rezultat i dhunës së përdorur ka mbetur i vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku e u rrezikua jeta e zyrtarëve tjerë policorë dhe popullatës civile.
Në Banjskë të Zveçanit, në orët e hershme të 24 shtatorit 2023, ishte vrarë rreshteri Afrim Bunjaku si dhe ishin plagosur dy të tjerë.
Pastaj, të vrarë kishin mbetur edhe tre sulmues, kurse të tjerët ishin larguar pasi ishin strehuar për disa orë në Manastirin e Bajnskës. Milan Radoiçiq e kishte marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin terrorist.






