6.7 C
Pristina
Tuesday, February 17, 2026

“Ein Wunder”- Rrëfimi prekës i të mbijetuarit të familjes Berisha, i gjendet plumbi në trup pas 27 vjetësh

I mbijetuari i masakrës mbi familjen Berisha në Suharekë në 1999, Gramoz Berisha ka treguar sot se i është gjetur një plumb në trup, 27 vjet pas përfundimit të luftës.

Berisha në një postim në Facebook shkruan se ishte i plagosur në luftë nga forcat serbe në krahun e majtë, por së fundi ka kuptuar që një plumb e ka edhe në krahun e djathtë.

Lexoni të plotë postimin e tij:

27 vite më parë, kur bashkë me mamin kërcyem nga kamioni, unë isha i plagosur në krahun e majtë.

Ajo plagë ma kishte mundësuar të shtiresha si i vdekur kur na kapën tek piceria dhe na hodhën në kamion bashkë me trupat e tjerë.

Vite të tëra jam trajtuar për plagën në krahun e majtë. Të gjithë mjekët më kishin thënë se plumbi kishte rrëshqitur dhe nuk ishte më në trupin tim.

27 vite dhimbje, krenari, mungesë dhe përpjekje për të gjetur qoftë edhe një kockë të familjarëve tanë, që nuk arritën të kërcenin nga kamioni që i barte si kufoma

Unë, mami Vjollca dhe Shyhretja ishim të vetmit që kërcyem. Të tjerët shkuan me kamion. Edhe motra Dafina, edhe vëllai im Driloni, edhe babi Sedat.

Të 49 anëtarët e familjes sonë shkuan. Kishte edhe të gjallë brenda. Kishte edhe thirrje për ndihmë nga kamioni. Por nuk kërcyen. Shkuan. Mbijetuam vetëm ne të tre.

Para tre muajsh ndjeva një dhimbje të tmerrshme në krahun tim të djathtë.

I bindur se nuk kishte asnjë lidhje me të kaluarën time, meqë plagën e kisha në krahun e majtë, iu drejtova mjekëve këtu në Shtutgart. Filluan ekzaminimet. Pas disa fotografimeve, nisën të më bëjnë pyetje:

— A mos keni qenë pjesë e ndonjë plaçkitjeje?

— Jo.

— A keni marrë pjesë në ndonjë shkëmbim zjarri?

— Po. Jam i mbijetuar… Ua tregova edhe plagën në krahun e majtë.

U mblodhën shumë mjekë. “ein Wunder”, përsëritnin.

Mjekët më treguan se në krahun tim të djathtë ndodhej plumbi që kishte synuar të ma merrte jetën para 27 viteve. Plumbi kishte depërtuar nga krahu i majtë në të djathtin, pa prekur asnjë organ vital.

Kjo ishte mrekullia që ata e quanin “ein Wunder”.

Unë mësova se gjatë gjithë kësaj kohe paskam mbajtur me vete metalin që e mposhta — që sot ta shijoj lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Gëzuar 17 shkurtin.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA