Nën tingujt e himnit kombëtar, Kuvendi i Prishtinës mbajti një seancë solemne me rastin e 18-vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Gjatë kësaj seance u bë thirrje për drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë, raporton Ekonomia Online.
Kryetari Përparim Rama derisa përmendi rëndësinë e 17 shkurtit dhe kontributin e personaliteteve për liri kërkoi edhe drejtësi për ish-krerët e UÇK-së.
“Agoi sot sërish 17 shkurti përmbi Kosovën tonë. I tetëmbëdhjeti qysh prej ditës kur shteti ynë po merr frymë me emrin e vet: Republika e Kosovës. Nuk është përvjetor jubilar. Megjithatë, 18-shi shënon atë pragun simbolik ku njeriu hyn në moshën madhore, e për analogji të natyrshme, edhe shtetin tonë sot etut je do ta shohim si një organizëm që po hyn në moshë të rritur, me përgjegjësi më të thella e me detyra të shtuara. 17 Shkurti nuk është thjesht datë kalendarike. Është vijë ndarëse mes epokave. Është përmbledhje sakrifice, qëndrese dhe besimi tonë kolektiv në shenjtërinë e lirisë. E kjo liri mban emra. Mban fytyra. Mban histori të gjalla. Ajo u ndërtu mbi sakrificën e të burgosurve politikë që mbajte ngjallë frymën e qëndresës në vitet ma të rënda. U forcua përmes vizionit paqësor e shtetformues të Ibrahim Rugovës. U vulos me gjakun e luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe u kurorëzua me partneritetin ndërkombëtar që e shndërroi të drejtën tonë në realitet shtetëror. Sot, në të njëjtën datë që kremtojmë pavarësinë, kryeqyteti bëhet edhe zëri që brohoret për ata që mbi shpinën e tyre bartën barrën më të rëndë të rrugës drejt lirisë. Procesi gjyqësor në Hagë kundrejt katër udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare tashmë po hyn në fazën përmbyllëse. Nesër pritet fjala e tyre përfundimtare përpara trupit gjykues, para se drejtësia të tërhiqet për vendim. Do të jenë fjalë që mbartin peshën e jetës së tyre, por edhe të luftës sonë; peshën e të ardhmes së tyre, por edhe të ardhme sonë. Dhe kjo, këtë 17 Shkurt e bën kaq të veçantë. Prandaj sot, si përfaqësues të Kryeqytetit, kemi detyrë me folë qartë e me thënë: Ne kërkojmë drejtësi. Drejtësi të pastër. Drejtësi të mbështetur mbi prova të paluhatshme. Sepse drejtësia që ndërtohet mbi hamendje nuk i shërben askujt. Kurse drejtësia qëpërzihet me politikë e humb busullën e saj“, tha Rama.
Rama gjithashtu bëri thirrje që të marrin pjesë qytetarët në protestën që do të mbahet sot nga ora 14:00.
“Prandaj ju ftoj që mbas pak t’i bashkohemi paradës që shënon moshën e pjekurisë së Kosovës tonë si shtet i pavarur, kurse në orën 14:00 sonte, të dëshmojmë pjekurinë tonë si shtetas, kur qytetarët e krejt Kosovës e më gjerë do të mblidhen nën thirrjen “Drejtësi, jo politikë”, në protestën e organizuar nga platforma “Liria ka emër”. Ky është zë qytetar. Zë dinjiteti. Zë i ndërgjegjes kombëtare. Prania jonë aty i jep protestës njëkohësisht kuptim institucional. Sepse asambletë komunale përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve. Sepse kryeqyteti flet kur përfaqësuesit e tij qëndrojnë pranë atyre që e hapën rrugën e lirisë. Sepse shteti i moshës madhore matet edhe me mënyrën se si rreshtohet përballë atyre që e ndërtuan“, theksoi tutje Rama.
Ndërsa kryesuesi i Kuvendit, Fehmi Kupina veçoi historinë e vendit dhe kontributin e UÇK-së.
“Sot më 17 shkurt, nuk kemi ardhë vetëm për të festuar. Kemi ardhë për të kujtuar, për t’u përulur dhe për të dëshmuar se liria e Kosovës ka emër, ka histori dhe ka çmim. Sot nderojmë ditën kur një popull i vogël në numër, por i madh në qëndresë, i dha botës se Kosova është e lirë dhe do të jetë e lirë përgjithmonë. Pavarësia e Kosovës nuk lindi brenda një nate. Ajo u ndërtua me dekada vuajtje, me shekuj sakrifice, me persekutim dhe maltretim në burgje, me varre pa emër, me nëna që pritën bijtë e tyre dhe me fëmijë që u rritën pa baballarë, por kurrë nuk humbën shpresën. Që nga viti 1912, kur ushtria serbe pushtoi Kosovën, mbi popullin shqiptar u ushtrua dhunë sistematike. Fshatrat u dogjën, familje u masakruan, njerëzit u dëbuan nga shtëpitë e tyre vetëm sepse ishin shqiptarë. U tentua të fshihej gjuha, kultura jonë, ekzistenca jonë. Por ajo nuk arriti kurrë të shuhet; ishte vullneti për liri. Pas Luftës së Dytë Botërore, pas vitit 1945, represioni vazhdoi nën një tjetër formë. Regjimi sllavo-komunist mbolli frikë, burgosi mendimin e lirë dhe ndëshkoi çdo zë që kërkonte barazi. Burgjet politike u mbushën me shqiptarë që nuk pranuan të nënshtrohen. Ata u dënuan jo për faj, por për bindje. Të burgosurit politikë janë ndërgjegjja më e pastër e këtij shteti. Ata mbajtën gjallë idenë e Kosovës së lirë, kur shpresa dukej e pamundur. Në kohën më të rëndë të Kosovës, patëm edhe një udhërrëfyes të madh: Presidentin historik, Dr. Ibrahim Rugova, i cili i dha popullit tonë besim, qetësi dhe vizion. Me durim dhe me urtësi, ai e bëri çështjen e Kosovës pjesë të ndërgjegjes ndërkombëtare dhe shndërroi kërkesat tona për liri në kauza morale të botës demokratike. Ai na mësoi se edhe paqja është formë rezistence për shtigje të lirisë. Por erdhi edhe momenti kur paqja u përball me shfarosje. Kur fjala nuk mjaftonte më, atëherë liria kërkonte sakrificë më të madhe. Ushtria Çlirimtare e Kosovës u ngrit si domosdoshmëri historike. Ajo u bë zëri i atyre që nuk kishin më ku të drejtoheshin“, tha Kupina.






