Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, dhe kryetari i Shoqatës së Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim (SHKKSH), Mentor Maloku, kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për forcimin e kapaciteteve në fushën e kërkim-shpëtimit.
Marrëveshja synon adresimin e nevojave dhe sfidave që lidhen me reagimin ndaj rasteve emergjente dhe operacioneve të kërkim-shpëtimit në territorin e Komunës së Malishevës.
Sipas dokumentit të nënshkruar, bashkëpunimi do të përfshijë shkëmbimin e përvojave, organizimin e trajnimeve për stafin e SHKKSH-së, institucionet komunale, organizatat dhe qytetarët.
Kryetari Kastrati theksoi se “ky bashkëpunim do të rrisë kapacitetet lokale në përballimin e situatave emergjente dhe do të përmirësojë koordinimin mes institucioneve dhe komunitetit”.
Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë edhe menaxheri i emergjencave në Komunën e Malishevës, Halit Mazreku, kryetari i degës së SHKKSH-së në Malishevë, Besim Paçarizi, si dhe zyrtarë të tjerë përgjegjës.






