3.8 C
Pristina
Monday, February 16, 2026

Rezolutë nga 30 deputetë zviceranë dërgohet në Dhomat e Specializuara

Një rezolutë e mbështetur nga 30 deputetë zviceranë është adresuar sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës, ka bërë të ditur OVL-UÇK.

Kjo iniciativë ka ardhur si rezultat i angazhimit të veprimtarit Sali Bislimi dhe është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme ndërkombëtare për një proces të drejtë dhe të paanshëm. Rezoluta është dorëzuar në Hagë në bashkëpunim me kryetarin e OVL-UÇK-së, Hysni Gucati.

Bislimi ka theksuar se përmes rezolutës kërkohet një proces i drejtë dhe i paanshëm.
“Është një thirrje edhe nga parlamentarët zviceranë, në emër të Organizatës Joqeveritare ‘Zëri Perëndimor i Kosovës’, që kemi kërkuar një proces të drejtë, të paanshëm dhe të barabartë”, ka theksuar Bislimi.

Sipas tij, Gjykata nuk i ka përmbushur këto standarde dhe ai ka kritikuar kërkesën e Prokurorisë për dënime të rënda.
“Në realitet, kjo Gjykatë asnjërën nga këto nuk i ka pasur. Jemi këtu edhe për të protestuar dhe është shumë e vështirë që një Prokurori e tillë të bëjë një skandal duke kërkuar 45 vite dënim. Kjo është edhe një ofendim për drejtësinë kombëtare, për vetë Hagën dhe për krejt këtë Gjykatë”, ka deklaruar ai.

Sipas Bislimit, prania e qytetarëve në Hagë është për të mbrojtur historinë dhe luftën e UÇK-së.
“Ne s’mund të jemi pa zë. Jemi këtu për ta dëshmuar veten, kulturën tonë, historinë dhe për ta mbrojtur atë, e cila nuk guxon për asnjë çmim të njolloset”, përfundoi ai.

Ndërkaq, kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka deklaruar se ky proces gjyqësor synon ta njollosë luftën e UÇK-së, por sipas tij kjo nuk do të ketë sukses.
“Ky gjykim është i panevojshëm, me fabrikim dhe falsifikim dosjesh, me njerëz të paguar e të infiltruar, të cilët kanë bashkëpunuar me Serbinë dhe tani kanë ardhur të dëshmojnë këtu duke u munduar ta njollosin luftën e UÇK-së. Besoj se s’do t’ia arrijnë qëllimit, sepse lufta ka qenë e shenjtë dhe e popullit. Ne kemi luftuar për ta çliruar vendin tonë një herë e përgjithmonë”, deklaroi Gucati para gazetarëve.

Ndërkohë, në Hagë vazhdon gjykimi ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, të cilët përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të katërtit janë deklaruar të pafajshëm.

Gjatë ditës së sotme pritet që mbrojtja e Krasniqit të paraqesë fjalën përfundimtare, duke përmbyllur fazën e deklaratave përfundimtare. Pas kësaj, çështja do të kalojë në shqyrtim nga trupi gjykues, i cili, sipas procedurave, ka afat deri në tre muaj për të marrë vendimin ose për të shtyrë shpalljen e aktgjykimit. /RTK

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA