Një tërmet me magnitudë rreth 4.8 sipas shkallës Rihter ka goditur zonën Prizren–Shtërpcë mbrëmjen e së martës, rreth orës 22:05 me orën lokale, ndërsa lëkundjet janë ndjerë në pjesë të ndryshme të Kosovës dhe rajonit.
Pas këtij rasti, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka dalë me një njoftim për qytetarët, duke apeluar për qetësi dhe respektim të udhëzimeve të sigurisë në rast të tërmeteve.
Në njoftimin e saj, ministria u bën thirrje qytetarëve që gjatë tërmetit të ruajnë qetësinë dhe të mos panikosen.
Qytetarët këshillohen që të futen menjëherë nën një tavolinë të fortë ose pranë një muri mbajtës, të mbrojnë kokën dhe qafën me duar dhe të qëndrojnë larg dritareve, rafteve dhe objekteve që mund të bien.
Po ashtu, theksohet se nuk duhet përdorur ashensori gjatë lëkundjeve.
“Nëse ndodheni jashtë, rekomandohet të qëndroni larg ndërtesave, shtyllave elektrike dhe pemëve, ndërsa nëse jeni duke vozitur, duhet të ndaloni në një vend të sigurt dhe të qëndroni brenda automjetit derisa të përfundojnë lëkundjet”, njofton ministria.
Pas tërmetit, ministria këshillon që të dilet me kujdes nga objekti vetëm nëse ai është i dëmtuar, të kontrollohet për persona të lënduar dhe të njoftohen shërbimet emergjente nëse është e nevojshme.
Qytetarët duhet të duhet të ndjekin vetëm njoftimet zyrtare nga institucionet përkatëse dhe të jenë të përgatitur për lëkundje pasuese.
“Siguria fillon me vetëdije dhe veprim të shpejtë. Respektimi i këtyre udhëzimeve ndihmon në zvogëlimin e rrezikut për ju dhe familjen tuaj”, thuhet në njoftimin e ministrisë.






